Vizitë treditore me karakter kryesisht trajnues dhe informues e mundësuar me financimin e Ambasadës Greke në Tiranë, në bashkëpunim me Departamentin e Gjuhës Greke në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja


Në eskursionin e mundësuar me financimin e Ambasadës Greke në Tiranë, në bashkëpunim me Departamentin e Gjuhës Greke në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, studentëve të kësaj dege, ju dha mundësia për të zhvilluar një vizitë treditore me karakter kryesisht trajnues dhe informues, por pa lënë mënjanë edhe efektin argëtues e turistik, ku studentët e përzgjedhur, arritën të shohin nga afër e po ashtu prekën realitetin kulturor e gjuhësor të vendit fqinjë Greqisë, gjuhën e kulturën të së cilit ata studiojnë me pasion e përkushtim në auditorët e FGjH.

Si fillim, dita e parë nisi me vizitën e tyre të organizuar pranë Fakultetit të Filozofisë ku në orën 09:00 patën takimin e mirëseardhjes nga pedagogu Dhori Qiriazi, personalitet i shquar në fushën e gjuhësisë greke dhe me kontribut të konsiderueshëm në lëmin e gjuhësisë shqiptare. Më pas pedagogja e historisë Eleni Manta zhvilloj një takim të përzemërt duke referuar mbi tematika historike me interes të përbashkët për të dyja vendet. Në vijim të ditës, programi përbante vizitë në Fondacionin e gjuhëtarit të madh grek Manolis Triantafilidhis me rastin e 60vjetorit të ndarjes së tij nga jeta.
Në takimin në fjalë studentët shqiptarë u njohën me kontributin e çmuar të M. Tiantafilidhis në fushën e gjuhësisë greke, por edhe me rolin dhe aktivitetet jofitimprurëse dhe humane që zhvillon ky fondacion. Pas kohës së lirë e shëtitjeve buzë detit Thermaiko në qytetin e bukur e piktoresk të Thessalonikit u mbyll dita e parë e cila do të shoqërohej të nesërmen me vizita në Muzeun Arkeologjik e më pas në atë Bizantin ku u vu re se me sa dashuri arkeologët kishin rezervuar me aq përkujdesje objekte që vijnë te ne sot nga thellësitë e shekujve e që përçojnë dritën e pashuar e të pashoqe të qytetërimit antik grek.


Dita e tretë e aktivitetit të Degës së Gjuhës Greke, përmbante vizitë në varret mbretërore pranë qytezëz së Vergjinës atje ku gjendet varri i mbretit Filip të II-të, babait të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Pas vizitës në mjediset muzeale të Vergjinës studentët nisën rrugëtimin e kthimit drejt Shqipërisë ku gjatë rrugës nuk munguan diskutimet e shumta mbi përshtypjet e mbresat që ju kishin lënë artifaktet e ekspozuara në muzeumet e vizituara, por edhe kontakti që patën me banorë vendas të Greqisë.
Udhëtime të tilla gjithnjë do të mbesin e kujtesën e studentëve tanë dhe do të motivojnë në përgjithsësi afrimin kulturor e gjuhësor mes të dy vendeve fqinje, Shqipërisë dhe Greqisë.